Mbasi mbaruam së ëndërruari
kjo do të thoshte se kishte përfunduar
vendosja e shenjave mbi Tokë
dhe tani ishte momenti fatlum
për të zbritur poshtë
në kërkim të gjërave të Arta.
Sipas parashikimit të Ëndrrave
në shtresën e parë do të gjenim Fatin
që siç na premtuan Magjistarët e Parajsës
do të ishte i bollshëm..
dhe i çliruar
nga të gjitha dëshpërimet e botes.
Mbasi do të kishim Fatin në duar
kishte shumë mundësi që në shtresën e dytë
sipas një fatumi të lashtë Astrologjik
verbërisht të besueshëm,
të takonim Dashurinë.
Dhe mbasi Toka do të na kishte dashur
më në fund..në shtresën e tretë
siç dëshmonte
Fryma predikuese e themeluesve të Gjenezës
të gjitha mundësitë çonin tek Lumturia.
Që të besoni sa seriozë ishim
në këtë kërkim të Lumturisë
thellësive të Tokës
mjafton t'ju themi
se që të ishim krejt të sigurt
projekti sqaronte se kërkuesit
duhet të ishin shumë të kujdeshëm
sepse Toka jonë misterioze
mbante brenda saj xhepa zjarri
që mund të digjnin gjërat tona të Arta.
- Mos u mërzisni..- ndërhyri dikush.
Toka jonë e dashur mban dhe rryma uji
që mund të shuajmë në rast rreziku
zjarret e mallkuar.
Dhe kështu pak nga pak
nga ëndrra tek mundimi,
nga mundimi te ankthi
më në fund Toka u hap.
Besoj e kuptoni...
Ishim të sigurt se më në fund
kishim përpara nesh
( Ndonëse nuk e dëshironte
asnjë prej shkrimeve të Botës )
një ditë të bardhë.
Por fatkeqësisht..
Toka që vazhdonte të ishte e jona
nuk kish ruajtur për ne asgjë të veçantë
sepse për veten e saj
ajo nuk kish ëndërruar asnjë të Ardhme..
dhe për ekzistencën e Gjërave të Arta
ishte krejtësisht moskokçarëse.
Madje nga kjo indiferencë e saj
Uji që ishte më i lehti i të gjithëve
ishte ngjitur lart
dhe shpresat tona
pashmangshmërisht të zjarrta
u shuan qysh në shtresën e parë...
Përkthyer nga Greqishtja prej vetë autorit.
No comments:
Post a Comment