PASARDHESIT
Në kujtim të Abelit dhe të Kainit.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Jeta si një Virgjëreshë t'u dorzua pa kushte
dhe pa pike turpi sollët në këtë botë
fëmijën arrogant që quhet Lumturi...
Mjerë ti Kain..mjerë ti.
Me dënim të Fuqive Supreme erdhe në botë,
në këtë të keqe të madhe që te gjeti,
dhe fatkeqësia të ndjek si një qen besnik.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Gjëmon rruzulli tokësor nga dëfrimet e tua
dhe nga tejngopja prej delireve te Parajsës
përndizen instiktet e tua shtazarake.
Mjerë ti Kain..mjerë ti.
Një Bibël mund të shkruhej me mundimet e tua
por Zoti i largët nuk ta dha miratimin
sepse dhimbjet e tua iu dukën qesharake.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Ke guximin të bësh ëndrra kriminale
si '' Kafe në Akropol...shtëpi pushimi në Hënë..
dhe lidhje erotike me Shën Mërinë.''
Mjerë ti Kain ..mjerë ti.
Kishe ca endrra të buta si dele të Perëndisë
që u bën kurban përpara Satanait
dhuratë për Lavdinë e Historisë së tij.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Gjithë Artin e madh vure në zemër
Serenatat delikate , Venerat lakuriqe
dhe skenat sublime të Tragjedive.
Mjerë ti Kain..mjerë ti.
Hera-herës kur dremit Dhespotia e Fatit
kënaq dhe ti ndjenjat e tua të varfra
me muzikën e artistëve mediokër të rrugëve.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Çdo ditë shenjtëron kënaqësitë e tua solemne
dhe kërcasin gostitë luksoze
me meze nga thellësitë e Oqeaneve.
Mjerë ti Kain..mjerë ti.
Urinë gënjen me barishte të Nënës Tokë
dhe me atë lumturinë tënde tragjike
falënderon për përkujdesjen e Perëndive.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Me trashëgimitë e tua Patriarkale mburresh
fshehur bodrumeve të botës së poshtme
dhe të vulosura me bojën e kuqe të krimit.
Mjere ti Kain ..mjere ti.
Neper sheshe u derdh gjaku i rinise tende
dicka te merrje nga kjo bote-dhe tu dhane
vetem kujtimet tragjike te Njerezimit.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Indiferent dhe i shkujdesur lartësive të Mëkatit
dashurinë tënde lypin duke u gjunjezuar
lakej dhe sahanlëpirës si qyqar te Nates..
Mjerë ti Kain..mjerë ti.
Si qen i rraskapitur bredh rrugëve dhe Iluzioneve
të xixëllojnë sytë për pak dashuri , por askush
nuk do të hyjë në zemrën tënde të zbrazët.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Me sentenca të Sokratit shtyn mbasditen
para se të fillosh orgjitë në shoqërinë e Satanait
nëpër Sallone Mistike të mbytura me dritë.
Mjerë ti Kain..mjerë ti.
I zhytur në dënimin tënd të përjetshëm
errësirës kërkon ide për shpëtimin e Botës
dhe rakia e thartë të gërryen mushkritë.
Lum si ti Abel..lum si ti.
Shtrirë gjerë e gjatë verandave të bollshme
në krahët e Bukurisë dhe të flladeve të Perëndimit
shkruan Eposin e magjishëm të pasioneve.
Mjerë ti Kain..mjerë ti.
Skutave të qelbura të qyteteve të mëdha
prej Kokainës dergjesh i shtrirë përtokë
mbi hirin e zjarreve të shuara të Revolucioneve.
2
Lum si ti Kain..lum si ti.
Faqebardhë mund të dalësh përpara Botës
sepse me gjithë Demonët kundër teje
si pasardhës i Prometeut munde të qëndrosh.
Mjerë ti Abel..mjerë ti.
E di mirë ti..të presin gjyqe të pafundme
prandaj shpik anije të reja Kozmike
sepse në Planete të tjera duhet të fshihesh.
Lum si ti Kain .. lum si ti.
Në dëshpërimin tragjik që të sollën Perënditë
i sigurt në drejtësinë e përjetshme
pret fundin dinjitoz të Shenjtërimit.
Mjerë ti Abel..mjerë ti.
Mos harrosh Satanain në Testamentin tënd
që të ka hapur një varr të artë
kurorë mbi të - Revolta e Njerëzimit.
Përkthyer nga greqishtja prej vetë Autorit