LOJRAT
Siç mund ta merrni me mend
në lojën e madhe të përjashtimit prej ëndrrave
unë kam qënë shumë i dobët ..
dhe fare i pambrojtur..
Domethënë,
i goditur për vdekje
nga pasionet më barbare të botës.
Ju ndërkohë,
të mësuar të shikoni nga larg
plagët e të mundurve..
mund të shtrini Fantazinë tuaj
duke gjykuar se objektivi kryesor i Lojës
duhet të ketë qënë shuarja e zjarreve
që shkrijnë akujt e zemrës..
me qëllim bllokimin e jetës
në pikën më të lartë të ndjeshmërisë.
Po,po , zotrinj..
Kështu ka qënë.
Nuk gaboheni aspak.
Po çuditem me aftësitë tuaja
për të qënë mjeshtërisht gjakftohtë
në shpjegimin e katastrofave të mëdha...
Unë që isha fare i mënjanuar
nga gara e madhe e Lavdive të botës
besoj se duhet të kem bërë
një kundërsulm të llojit- ''Ju do të rrëzoheni''..
por me sa më kujtohet
duhet të jem tërhequr ..
sepse më bënë vërejtje se isha shumë i vogël
dhe për ndeshje të tilla influencash
nuk do të rritesha kurrë.
Vendet që zbrazeshin prej të mundurve
mbusheshin me një mënyrë të tillë
që t'ju linin të kuptonit
se Filozofëve u kishte pëlqyer
pothuajse në përmasa cinike
të krahasoheshin me lumenjtë.
Dhe kështu duke u rrëmbyer
kishin asimiluar
të gjitha rrymat e mendimit njerëzor
dhe Njerëzimi si fëmijë i vogël
vraponte me lumenjtë e tharë përbri
për të kapur objektivin e Lojës...
Më në fund...
humbiste kush humbiste...
rrëzohej kush rrëzohej...
linçohej kush linçohej...
arrihej në një pikë ku gjithçka
dukej se kish mbetur pas..
Lojtarëve që kapërcenin parashikimet
ishte e natyrshme që tu bëhej
një nder i vogël.
Nxirreshin përpara Diellit për tu fotografuar..
dhe hija e zezë e fituesve
mbulonte krejt botën.